Skip to content

Mimoza Journey

Menu
  • Home
  • Lajme
  • Video
  • Blog
  • English
  • Rreth Nesh
  • Kontakti
Menu

Problematika e Certifikatës së Lindjes për Pjesëtarët e Komuniteteve Pakicë në Kosovë: Fokus në Komunitetet Ashkali, Egjiptian dhe Rom

Posted on October 7, 2024March 5, 2025 by Mimoza Gavrani

Certifikata e lindjes është një dokument kyç për qasjen në të drejtat bazë të qytetarëve, përfshirë arsimimin, punësimin, shërbimet shëndetësore dhe udhëtimet. Në Kosovë, komunitetet Ashkali, Egjiptian dhe Rom përballen me vështirësi të mëdha në sigurimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. Kjo problematikë ndikon negativisht në integrimin e tyre në shoqëri dhe mbijetesën e përditshme. Artikulli fokusohet në sfidat e komuniteteve pakicë për marrjen e certifikatës së lindjes dhe rëndësinë e përfshirjes së institucioneve për të zgjidhur këtë problem.

Situata aktuale dhe sfidat e komuniteteve

Në Kosovë, shumë pjesëtarë të komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Rom kanë vështirësi të mëdha për t’u regjistruar në sistemin civil. Shkaqet për këtë situatë janë të shumta, përfshirë mungesën e ndërgjegjësimit për procedurat administrative, barrierat sociale dhe diskriminimi historik. Përveç kësaj, procesi burokratik për sigurimin e certifikatave shpesh është kompleks, duke krijuar pengesa shtesë për këta qytetarë. Në shumë raste, fëmijët nga këto komunitete nuk regjistrohen që në lindje për shkak të mungesës së dokumenteve të prindërve të tyre ose të kushteteve të vështira ekonomike, gjë që e bën më të vështirë marrjen e shërbimeve publike dhe të drejtat e tjera.

Një rast që ilustron këtë problematikë është ai i G.SH., një grua nga komuniteti Ashkali në komunën e Fushë-Kosovës, e cila për 14 vjet nuk ka arritur të marrë certifikatën e lindjes. Në një intervistë për portalin tonë, ajo tregoi se mungesa e këtij dokumenti e ka privuar nga të drejtat bazë njerëzore, duke mos pasur mundësinë të regjistrohet në shkollë, të kërkojë punë ose të udhëtojë. “Unë dhe familja ime jemi të bllokuar nga një sistem që nuk na njeh si qytetarë të barabartë. Pa certifikatën e lindjes, nuk mund të jetojmë një jetë normale,” tha ajo.Rasti i saj është vetëm një nga shumë të ngjashme në Kosovë, ku individë nga komunitetet pakicë përballen me të njëjtat sfida, duke u privuar nga të drejtat elementare për shkak të mungesës së dokumentacionit civil.

Mungesa e certifikatës së lindjes ndikon direkt në qasjen në arsim dhe punësim. Fëmijët që nuk mund të regjistrohen në shkollë janë të privuar nga një e drejtë bazë, duke i lënë pa mundësinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Kjo përjashtim nga arsimi thellon më tej ciklin e varfërisë dhe margjinalizimit social.

Për të rriturit, mungesa e certifikatës së lindjes e pamundëson qasjen në tregun formal të punës, duke i lënë pa mundësi për të përfituar sigurime shoqërore ose shërbime shëndetësore. Ky izolim social dhe ekonomik është një faktor kryesor që ndikon në vazhdimësinë e varfërisë ndër breza në këto komunitete.

Institucionet vendore kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë proces. Ato duhet të sigurojnë që procedurat për marrjen e certifikatave të lindjes të jenë të thjeshta dhe të arritshme për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që përballen me kushte të vështira sociale dhe ekonomike.

Mungesa e certifikatës së lindjes është një problem i rëndë për komunitetet Ashkali, Egjiptian dhe Rom në Kosovë, duke i privuar ata nga të drejtat bazë njerëzore dhe duke ndikuar negativisht në integrimin e tyre në shoqëri. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare duhet të përqendrohen në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për këtë çështje, duke siguruar që çdo qytetar të ketë të drejtën për t’u regjistruar dhe për të realizuar potencialin e tij si pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare.

Realizuar me 03.Gusht.2024

Raporto diskriminimin tek [email protected]

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Mimoza Journey”. 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 Portali "Mimoza Journey"

  • Privacy Policy